Të paktën 68 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas përplasjes dhe daljes nga shinat të dy trenave me shpejtësi të lartë në Spanjë. Aksidenti ndodhi në linjën hekurudhore që lidh Madridin me Andaluzinë, në zonën mes qyteteve Los Yébenes dhe Urda, në provincën e Toledos, dhe konsiderohet ndër katastrofat më të rënda hekurudhore në historinë e vendit. Sipas autoriteteve, të paktën 58 persona kanë mbetur të plagosur, 15 prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa numri i viktimave mund të rritet teksa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet mes rrënojave të vagonëve të shkatërruar. Më shumë se 540 pasagjerë mendohet se udhëtonin në të dy trenat.
Treni AVE i kompanisë shtetërore Renfe ishte nisur nga Madridi në orën 08:00 drejt Seviljes kur u përplas me një tren të kompanisë Iryo. Kompania Iryo njoftoi se treni i saj me numër shërbimi 6076 u godit nga pas rreth orës 08:45. Shkaqet e sakta mbeten të paqarta dhe hetimet vijojnë.
Autoritetet dyshojnë se një defekt në sistemin kompjuterik të komunikimit dhe një gabim njerëzor mund të kenë kontribuar në aksident. Ministri i Transportit, Oscar Puente, deklaroi se treni Renfe ishte autorizuar të vazhdonte lëvizjen pavarësisht se në linjë ishte aktivizuar sinjali i kuq për shkak të pranisë së një treni të ndaluar përpara. Sipas ministrit, sinjali i kuq ishte aktivizuar nga një problem në sistemin kompjuterik, i cili ndalon automatikisht trenat në kushte të caktuara, dhe më pas dyshohet se është marrë vendimi i gabuar për t’i dhënë leje trenit Renfe të vijonte udhëtimin. Përgjegjësitë pritet të përcaktohen nga hetimi zyrtar.
Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se çdo dështim në sistemin e sigurisë do të trajtohet dhe do të merren masat e nevojshme. Ai iu referua edhe një aksidenti fatal në të njëjtën linjë më herët këtë vit, ku 48 persona humbën jetën, duke theksuar se për momentin duket se shkaqet nuk kanë të përbashkët, por se hetimi do ta përcaktojë këtë. Sánchez njoftoi shpalljen e tri ditëve zie kombëtare që do të nisin nga dita e nesërme.

