Ndërsa presioni ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, shtohet, një përplasje e vogël mes tij dhe Cristiano Ronaldos tërhoqi vëmendjen e rrjeteve sociale. Të dy u takuan në Paris, gjatë Esports World Cup; takimi nisi normalisht, me Infatonin që e pyeti Ronaldon si ishte dhe iu referua objektivit të tij për të arritur 1,000 gola në karrierë: “Edhe 23 gola, apo jo? Paç fat. Hajde, hajde”. Pas përshëndetjes, pamjet e publikuara tregojnë Ronaldon duke u larguar dhe duke bërë një gjest fytyre të dukshëm të pakënaqësisë, moment që u bë viral dhe nxiti reagime të shumta. Nuk ka konfirmim se gjesti ishte i drejtuar kundër Infantinos, por videoja mjaftoi për të ndezur komente, veçanërisht në një kohë kur presidenti i FIFA-s po përballet me kritika të forta.
Në të njëjtën kohë, figura të njohura të futbollit shprehën publikisht revoltë ndaj drejtimit aktual të FIFA-s. Ish-mbrojtësi i Manchester United dhe Francës, Mikaël Silvestre, anëtar i Players’ Voice Panel të FIFA-s, publikoi mesazhin “Enough is enough!”, duke kërkuar ndryshime strukturore në mënyrën e drejtimit të futbollit botëror. Deklaratën e mbështetën edhe kampioni i botës Emmanuel Petit dhe futbollistja angleze Lucy Bronze. Grupi i ish-lojtarëve dhe futbollistëve deklaron se futbolli është larguar nga vlerat thelbësore dhe kritikon FIFA-n për vendimmarrje të rëndësishme pa konsultuar mjaftueshëm lojtarët dhe tifozët. “Ndryshimi është i nevojshëm. Pushteti ka turbulluar aftësinë e drejtimit aktual për të dalluar interesat e veta nga ajo që është më e mira për futbollin”, thuhet në deklaratë.
Presioni ndaj Infantinos vjen edhe nga drejtuesit e futbollit evropian. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, nuk ka thënë se do të kandidojë vetë kundër tij, por ka paralajmëruar se Infantino mund të përballet me një rival në zgjedhjet e marsit 2027. Sipas Čeferinit, Infantino ka dy mundësi: të kuptojë se nuk ka më mbështetjen e komunitetit të futbollit ose të shkojë në zgjedhje, ku mund të përballet me një kandidat tjetër; si një alternativë e përmendur është Victor Montagliani, president i CONCACAF dhe zëvendës-president i FIFA-s. Në këtë klimë të tensionuar, gjesti i Ronaldos në Paris mori vëmendje të veçantë, edhe pse lidhja e tij me përplasjet rreth Infantinos nuk është konfirmuar.

