Opinion nga Timoni.al
Kur SPAK kërkon arrestimin e një zyrtari të lartë, në një shtet normal flet gjykata. Në Shqipëri, për çudi, flet politika.
Kështu ndodhi edhe këtë herë. Ulsi Manja doli para kamerave për të shpjeguar pse nuk duhet arrestuar Belinda Balluku. Sipas tij nuk paska rrezik arratisjeje, nuk paska rrezik prishjeje provash, nuk paska rrezik përsëritjeje të veprës penale. Pra deputeti bëri analizën që në çdo vend normal e bën një gjyqtar, pasi dëgjon prokurorin dhe shqyrton provat.
Ironia është se këtë e thotë pikërisht po ajo forcë politike, Partia Socialiste e Shqipërisë, që prej vitesh na flet për “reformën historike në drejtësi”. Na është thënë vazhdimisht se drejtësia tashmë është e pavarur, se politika nuk ndërhyn më dhe se institucionet e reja janë krijuar pikërisht për të garantuar barazinë para ligjit.
Por mesa duket, reforma qenka shumë e mirë vetëm derisa drejtësia troket te dera e pushtetit. Derisa hetimet ndalen te kundërshtari politik, gjithçka është në rregull dhe dëgjojmë thirrjen e famshme: “Le të veprojë drejtësia”. Por sapo hetimi afrohet te një ministër apo te një figurë e rëndësishme e qeverisë, menjëherë fillon analiza politike, fillojnë deklaratat për standarde të shkelura dhe fillon presioni publik ndaj institucioneve të drejtësisë.
Kjo është drama e madhe shqiptare: standardi i dyfishtë. Kur hetohet opozita, pushteti thotë “drejtësia duhet të jetë e pamëshirshme”. Kur hetohet pushteti, papritur kujtohen të drejtat procedurale, proporcionaliteti dhe standardet evropiane.
Dhe kështu, drejtësia që duhej të ishte mbi politikën, përfundon duke pritur autorizimin e politikës. Në vend që gjykata të vendosë mbi kërkesën e prokurorisë, dalin deputetë dhe ministra që bëjnë rolin e gjyqtarit në studio televizive. Kjo jo vetëm që nuk e ndihmon drejtësinë, por e kthen atë në një fushë beteje politike, ku çdo vendim interpretohet sipas interesit të momentit.
Në fund të fundit, qytetarët shohin vetëm një gjë: kur bëhet fjalë për pushtetin, gjithmonë gjenden justifikime. Gjithmonë del dikush që shpjegon pse nuk duhet marrë një masë, pse nuk është momenti, pse duhen më shumë prova. Ndërsa për njerëzit e zakonshëm, procedurat janë shumë më të shpejta dhe shumë më pak tolerante.
Dhe në këtë klimë ironike, nuk na ngelet gjë tjetër veçse, o shqiptarë të mbledhim ndonjë fond solidariteti për Belën. Sepse, siç duket nga mënyra si mbrohet nga pushteti, duket sikur është në hall të madh, nuk paska as apartamente, as limuzina dhe as jaht për të përballuar këtë stuhi politike.
Në fund, pyetja mbetet e thjeshtë: në Shqipëri vendos drejtësia apo vendos politika? Sepse sa herë drejtësia afrohet te pushteti, duket sikur dikush gjithmonë nxitohet të na japë përgjigjen para se ta japë gjykata.















