Censi i bujqësisë nuk do të realizohet më në vitin 2026; numërimi i të mbjellave dhe i gjësë së gjallë do të bëhet në vjeshtën e 2027, ose 15 vite më pas nga CENSI i fundit. Vonesat në hartimin e projektligjit për Censin e bujqësisë bënë që ai të miratohej në seancën e fundit plenare që u zhvillua në muajin korrik. Megjithatë, miratimi i ligjit nuk mjafton që INSTAT të nisë regjistrimin e bujqësisë dhe blegtorisë, pasi më parë qeveria duhet të ekzekutojë buxhetin për zbatimin e projektit të CENS-it, që kap vlerën e 11.7 milion eurove.
Mbledhja e të dhënave për bujqësinë parashikohet të zgjasë katër javë, me 3,400 anketues në terren që do të regjistrojnë sipërfaqet e fermave, makineritë dhe të dhënat e individëve të punësuar në këtë sektor. Në mbështetje të këtij CENSI do të jenë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë. Në rast refuzimi është parashikuar që ndaj bujkut shqiptar të merren masa administrative me gjobë nga 30-100 mijë lekë të reja.
Regjistri i parë i këtij sektori u bë në vitin 1998 në formën e një ankete mbi strukturën e ekonomive bujqësore. Më pas, në vitin 2012 është realizuar Censi i parë i Bujqësisë. Një tentativë u krye në vitin 2018, por mbledhja e të dhënave u realizua në formën e një ankete strukturore të bujqësisë.
Censi i dytë i bujqësisë ishte parashikuar për t’u zhvilluar në vitin 2022, por ky proces u shty për në 2024, ndërsa as ky objektiv nuk u arrit. Sipas informacionit, afati i ri i vendosur është viti 2027, dhe si arsyetim për vonesën përmendet mungesa e fondeve që shteti shqiptar ka parashikuar për numërimin e këtij sektori.

