Këtë të hënë, nga foltorja e Kuvendit, deputetja e PS Zegjine Caushi akuzoi Sali Berishën për dezinformim lidhur me një banesë që, sipas saj, ai pretendon se ajo e ka blerë me një çmim të lartë në një zonë të shtrenjtë të Tiranës. Caushi mohoi këtë pretendim dhe sqaroi se ajo ka lidhur vetëm një kontratë prenotimi për një apartament që ende nuk është nisur ndërtimi.
Ajo iu drejtua drejtpërdrejt Berishës: “Sali, ti duhet të jesh i fundit që të vish këtu dhe në atë foltore dhe të flasësh në atë protestë. Më gjej një vend në botë ku protestohet kundër qeverisë dhe kundër opozitës së saj.” Deputetja e akuzoi për përdorim të foltores si një platformë për dezinformim dhe i tha: “Ajo foltore nuk është podium për zakonin tënd të vjetër dezinformimin. Më shiko në sy! Siç dezinformove shqiptarët pak minuta më përpara për Reformën Territoriale, ashtu i dezinformove edhe për shtëpinë time.”
Caushi theksoi se, ndryshe nga ajo që Berisha ka përhapur, ajo nuk ka privatizuar asnjë pëllëmbë toke të shqiptarëve. Sipas saj, veprimi i saj ka qenë vetëm lidhja e një kontrate prenotimi dhe jo blerja apo marrja e pronës me qëllim privatizimi. Ajo përsëriti se apartamenti për të cilin bëhet fjalë “nuk ka nisur” dhe akuzoi Berishën se di vetëm të dezinformojë.
Deputetja gjithashtu sulmoi mënyrën se si çështja është transmetuar në mediat që ajo i konsideron të lidhura me Berishën, duke thënë se informacioni ishte pasqyruar “ndryshe në sipërfaqe dhe ndryshe në çmim” dhe duke iu referuar që në mënyrë të drejtpërdrejtë atyre që, sipas saj, “pastron paratë e pista”. Deklarimet e Caushit u bënë gjatë fjalës së saj në Kuvend dhe u raportuan nga Top Channel.

