Gjykata Kushtetuese caktuar datën 24 nëntor për shqyrtimin e një ankese tjetër lidhur me sekuestrimin e telefonave nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Pas vendimeve mbi rastet e gazetarit Elton Qyno dhe të Onejda Ymerit, ku Kushtetuesja vendosi kufizime ndaj SPAK-ut për bllokimin e pajisjeve pa vendim gjykate dhe për respektimin e proporcionalitetit, çështja e radhës lidhet me Ajola Xoxën, bashkëshorte e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Sipas kalendarit të publikuar nga Gjykata Kushtetuese, Ajola Xoxa dhe shoqëria Partners Law kërkojnë shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të gjykatave më të ulëta. Vendimet në fjalë janë të Gjykatës së Posaçme, Shkalla e Parë, datë 20 dhjetor 2024; të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, datë 19 shkurt 2025; dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, datë 22 maj 2025. Të tri këto vendime kishin rrëzuar kërkesat e paditësve, përfshirë edhe kërkesën e Xoxës për kthimin e telefonit dhe të shkresave që SPAK i kishte bllokuar në kulmin e hetimeve të dhjetorit 2024.
Paditësit pretenduan se kontrollet e asaj kohe nga Byroja Kombëtare e Hetimit ishin kryer në shkelje të ligjit. Megjithatë, pretendimet u rrëzuan nga gjykatat e mëparshme. Çështja do të shqyrtohet në seancë plenare të Kushtetueses, ku, mbi bazën e dokumenteve, edhe SPAK do të paraqesë prapësime konkrete. Gjyqtarët do të vlerësojnë përsëri mënyrën se si SPAK kreu kontrolle dhe sekuestroi telefona gjatë katër viteve të fundit.
Më parë, në rastin e gazetarit Elton Qyno, Kushtetuesja vlerësoi se thirrja e tij për të treguar burimet dhe sekuestrimi i pajisjeve kishin kufizuar lirinë e shprehjes. Në rastin e Onejda Ymerit, gjykata deklaroi se korrespondenca dhe të dhënat personale mbrohen nga Kushtetuta dhe se Prokuroria e Posaçme nuk mund të kontrollonte të gjitha të dhënat në telefon pa vendimmarrje gjyqësore.

