Çarja e argjinaturës së lumit Seman ka shkaktuar përmbytje në fshatin Hasturkas, duke prekur qindra hektarë tokë bujqësore dhe 20 banesa. Banorët e zonës janë alarmuar dhe kanë qëndruar në gatishmëri gjatë natës për shkak të rrezikut të vazhdueshëm.
Gjatë natës, në total 9 persona janë evakuuar dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre. Disa banorë shprehen të shqetësuar për fatin e anëtarëve të familjeve të tyre me të cilët kanë humbur kontaktin si pasojë e situatës. Forcat e ushtrisë janë të pranishme në zonë me barka, duke bërë të mundur evakuimin e çobanëve dhe bagëtive që ndodhen në rrezik.
Banorët e fshatit akuzojnë autoritetet për mungesën e marrjes së masave për forcimin e argjinaturës në zonat më të rrezikuara, duke theksuar se situata ishte e parashikueshme dhe se kjo ka kontribuar në përkeqësimin e situatës.















