Një 46-vjeçare, identifikuar si Ornella Forastefano, ka vdekur në Itali, ndërsa hetuesit dyshojnë se ajo ishte dhunuar nga bashkëshorti i saj 42-vjeçar me origjinë shqiptare. Trupi i saj u gjet gjatë natës jashtë hyrjes së urgjencës së spitalit në Trebisacce; mjekët ndërhynë por plagët e rënda dhe dëmtimet e shumta rezultuan fatale. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 03:00.
Sipas mediave italiane, partneri 42-vjeçar u ndalua në portin e Barit teksa dyshohet se po përpiqej të largohej drejt Shqipërisë. Pas gjetjes së viktimës, hetimet u përqendruan te ai, i cili ishte larguar nga banesa dhe më vonë u lokalizua në portin e Barit, ku dyshohet se ishte gati të hipte në një traget me destinacion Shqipërinë.
Hetuesit theksojnë se gruaja kishte dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit, çka i ka shtyrë të dyshojnë për dhunë. Burri po merret në pyetje dhe autoritetet përpiqen të rindërtojnë dinamikën e ngjarjes dhe të përcaktojnë nëse ai ka përgjegjësi për vdekjen. Ai njihej më parë nga autoritetet për vepra penale që lidhen me lëndë narkotike.
Ende nuk është e qartë nëse 46-vjeçarja u dërgua në spital nga partneri i saj; ajo u la jashtë hyrjes së urgjencës dhe u gjet nga mjekët. Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Castrovillarit, që po shqyrton të gjitha pistat për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Forastefano menaxhonte një bar në qendër të Trebisacces së bashku me dy fëmijët e saj. Çifti raportohet të ketë jetuar së bashku rreth një vit. Hetuesit vijojnë marrjen e deklarimeve dhe analiza e provave për të konfirmuar shkakun dhe përgjegjësitë lidhur me vdekjen e saj.

