Mbrëmjen e së dielës u dëgjuan të shtëna me armë zjarri nga një jaht që lundronte në Palasë. Njoftimi, i cili erdhi rreth orën 21:00, vuri në lëvizje Policinë Kufitare, Delta Force dhe FNSH që nisën ndjekjen për kapjen e mjetit lundrues që po lëvizte drejt Himarës me një operacion nga deti e toka që zgjati 2 orë.
Pasi ia dolën ta shoqëronin jahtin në kalatat e Porto Palermos, policia ka ndaluar 4 persona që ndodheshin në bord.
Sipas policisë, janë ndaluar Bruno Çela 31 vjeç, djali i biznesmenit të “Brunes”, Geront Çelës, Leonard Hasa, 31 vjeç, Afrim Kastrati 49 vjeç dhe Pashk Gjini, 60 vjeç, biznesmen me precedent penal në fushën e narkotikëve. Gjatë kontrollit të tyre dhe jahtit, policia nuk ka gjetur asnjë send të paligjshëm. Nuk është e qartë se cili prej tyre e ka përdorur armën.
Bëhet me dije se jahti fillimisht kishte marrë drejtimin për në Greqi, por më pas ndryshoi kurs. Gjatë ndjekjes, njëri prej personave në bord u hodh në det dhe u kap më pas nga Policia Kufitare.
Gjatë operacionit, dy nga personat që ndodheshin në bordin e jahtit, tentuan të afroheshin në breg me gomone për t’i ikur policisë. Por, pasi konstatuan praninë e efektivëve në tokë, ata u kthyen sërish drejt jahtit.
Sipas të njëjtave burime, në përpjekje për t’iu shmangur autoriteteve, jahti fiku dritat dhe vijoi lëvizjen në det.
Ende nuk dihen rrethanat pse kanë ndodhur të shtënat apo tentativa e personave të ndaluar për t’i shpëtuar policisë.

