Kthehet sërish hipoteza e një ripranimi të Italisë në Botërorin 2026 pas çështjes Iran. Zërat për një rikthim të mundshëm u shfaqën para gjysmëfinales së playoffit ndaj Irlandës së Veriut, pasi Italia ishte skuadra me renditjen më të mirë që rrezikonte të mbetej jashtë dhe situata në Iran u rëndua në fund të shkurtit. Çështjen e rihapi edhe Paolo Zampolli, i dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas rregullores së FIFA për Kupën e Botës 2026, Neni 6.7 parashikon që në rast se një federatë pjesëmarrëse tërhiqet ose përjashtohet, FIFA ka kompetencën për të vendosur dhe, nëse e gjykon të nevojshme, për të zëvendësuar atë federatë me një tjetër. Pra, vendimi përfundimtar do të jetë në dorë të FIFA-s.
Burime pranë presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, thonë se orientimi i tij është të vlerësohet merita sportive. Në këtë kuadër, në rast se Irani nuk merr pjesë, kandidat më i mundshëm për zëvendësim do të ishte një kombëtare aziatike që u eliminu në playoff, me përmendjen e veçantë të Emirateve të Bashkuara Arabe. Për kërkesën e Zampollit nuk pritet asnjë komunikatë zyrtare nga FIFA; në Zyrih kujtojnë se Zampolli kërkoi diçka të ngjashme edhe në 2022, por Italia nuk u rikthye atëherë. Njëkohësisht, Infantino është shprehur disa herë me siguri për pjesëmarrjen e Iranit në Botëror.
Nuk ka afate të përcaktuara zyrtare për një vendim. Aktualisht Irani shfaqet i prirur të marrë pjesë, por ka vendosur kushtin që të mos luajë ndeshjet e tij në SHBA. Në ditët e fundit është përmendur edhe mundësia e organizimit të një raundi tjetër playoff mes kombëtareve të eliminuara për të vendosur një zëvendësues potencial, të zhvilluar pak para fillimit të Botërorit.
Precedentët e përjashtimeve dhe ripranimeve në kompeticionet e mëdha janë të rrallë. Një rast i krahasueshëm në nivel kombëtar ka qenë Danimarka që në 1992 mori vendin e Jugosllavisë në Kampionatin Evropian dhe e fitoi trofeun. Për Botërorët nuk ka shembuj të qartë që nga vitet ’50. Një ngjarje më e fundit dhe e krahasueshme ndodhi në Kupën e Botave të Klubeve 2025, kur klubi meksikan León u përjashtua për shkak të pronësisë së njëjtë dhe u zëvendësua nga Los Angeles FC.















