Bordi i Transparencës, në mbledhjen e datës 18 Prill 2026, vendosi kufij të çmimit për nënproduktet e naftës. Për nënproduktin gazoil të standardit SSH EN 590 çmimi maksimal i shitjes me pakicë u përcaktua jo më shumë se 197 lekë/litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë jo më shumë se 185 lekë/litër. Për nënproduktin benzinë të standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë u vendos jo më shumë se 172 lekë/litër, dhe çmimi maksimal i shitjes me shumicë jo më shumë se 160 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi hyjnë në fuqi në të njëjtën datë, 18 Prill, nga ora 10:30, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Sqarimi zyrtar referohet gjithashtu Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, që shton dispozita në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”. Ky akt parashikon se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litër, ose për benzinën më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në metodologjinë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet e caktuara nga Bordi janë nën kufirin e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.















