Bordi i Transparencës ndryshoi sërish çmimet e karburanteve në mbledhjen e datës 6 Qershor 2026. Ai uli çmimin e naftës (gazoil) me 2 lekë ndërsa çmimi i benzinës u rrit. Vendimi përcakton çmimin maksimal të shitjes me pakicë për gazoilin standard SSH EN 590 në 190 lekë/litër dhe çmimin maksimal të shitjes me shumicë në 178 lekë/litër. Për benzinen standard SSH EN çmimi maksimal me pakicë u vendos në 173 lekë/litër dhe me shumicë në 161 lekë/litër.
Çmimet e përcaktuara nga Bordi hyjnë në fuqi më datë 6 në ora 14:30 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi dhe paralajmëron se në rast të shkeljeve do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Sqarim lidhur me Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026: ky akt parashikon se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin e kalon 220 lekë/litër, ose për benzinën 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në metodologjinë e llogaritjes së çmimeve të tavaneve të shitjes me pakicë, çmimet e vendosura janë nën kufirin e përcaktuar në Aktin Normativ, ndaj do të zbatohet niveli i plotë i akcizës, 100%.
Për gazoilin e destinuar për peshkim, referuar Ligjit nr. 9975, datë 28.07.2008 dhe nenit 10, pika 3, germa “d” të Ligjit 61/2012 “Për akcizat”, parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizës për karburantin e anijeve të peshkimit sipas sasive, kushteve dhe kritereve të përcaktuara në VKM. Referuar metodologjisë së aktit normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 95 lekë.

