Bordi i Transparencës ndryshoi çmimet e naftës dhe benzinës, duke ulur tarifat që nga ora 13:20 e datës 23 maj 2026. Çmimi i naftës (gazoil) u ul me 2 lekë, nga 197 lekë/litër në 195 lekë/litër për shitjen me pakicë. Benzina u ul me 4 lekë, nga 186 lekë/litër në 182 lekë/litër për shitjen me pakicë.
Në vendimin e datës 23 maj 2026, Bordi përcaktoi gjithashtu çmimet maksimale të shitjes me shumicë dhe pakicë për standardet përkatëse: për nënproduktin gazoil i standardit SSH EN 590, çmimi i shitjes me pakicë të jetë jo më shumë se 195 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër. Për nënproduktin benzinë i standardit SSH EN, çmimi i shitjes me pakicë të jetë jo më shumë se 182 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 170 lekë/litër.
Çmimet e caktuara hyjnë në fuqi sot, 23 maj, ora 13:20, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi, dhe paralajmëron se në rast shkeljesh nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për të mbrojtur interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe për të ruajtur parimet e konkurrencës së ndershme në treg.
Sqarim lidhur me Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, që ndryshon ligjin për akcizat: në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin ishte më i lartë se 220 lekë/litër ose për benzinën më i lartë se 200 lekë/litër, do të zbatohej niveli 80% i akcizës. Bazuar në metodologjinë për llogaritjen e çmimeve tavan, çmimet aktuale janë nën këto kufij, prandaj zbatimi i akcizës do të jetë i plotë, 100%. Burimi: Top Channel.

