Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër, në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës, ka bllokuar 110 ton fruta-perime pas një inspektimi jashtë planit në subjektin Elidon Bala, i angazhuar në trajtimin dhe ambalazhimin e këtyre produkteve. Gjatë verifikimeve, janë konstatuar shkelje të rënda të standardeve higjeno-sanitare në ambientet ku trajtohen produktet ushqimore.
Si pasojë e këtyre shkeljeve, AKU ka marrë disa masa administrative. Së pari, është vendosur një gjobë prej 500,000 lekësh, sipas Ligjit nr. 9863, datë 28.01.2008 “Për Ushqimin”, për mosrespektimin e kërkesave ligjore mbi kushtet higjeno-sanitare. Së dyti, është urdhëruar ndërprerja e menjëhershme e aktivitetit prodhues, bazuar në Ligjin nr. 99/2024 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, si masë urgjente për të mbrojtur interesin publik dhe sigurinë ushqimore.
Përveç këtyre masave, produktet e bllokuara do të qëndrojnë të bllokuara deri në përfundimin e procedurave ligjore dhe vendimmarrjes për asgjesim, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mosrespektimin e kushteve higjeno-sanitare.















