Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, dhe kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, zhvilluan një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë dhe mundësitë për t’i dhënë fund konfliktit. Telefonata, sipas një njoftimi të zyrës së presidentit finlandez, ishte një vijim i takimit të zhvilluar javën e kaluar në Oslo, ku Stubb dhe Støre pritën bisedimet mes përfaqësuesve amerikanë dhe ukrainas. Qëllimi ishte avancimi i përpjekjeve diplomatike për të ndihmuar në përfundimin e luftës, shkruan Guardian.
Në deklaratën zyrtare thuhet se qëllimi i telefonatës ishte të përcilloheshin drejtpërdrejt mesazhe për negociatat e ardhshme, me synimin për të ndihmuar në përfundimin e luftës. Biseda lidhet gjithashtu me takimet e pritshme në Abu Dhabi, ku pritet të zhvillohen negociata trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në fillim të muajit nëntor.
Pas telefonatës, presidenti finlandez Alexander Stubb i cilësoi diskutimet si “të drejtpërdrejta dhe përmbajtësore”, duke theksuar se përfundimi i luftës kërkon dialog të drejtpërdrejtë me Moskën. Edhe kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre nënvizoi rëndësinë e uljes së tensioneve, duke paralajmëruar për pasojat e rënda njerëzore dhe materiale të konfliktit. “Lufta ka kosto të jashtëzakonshme njerëzore dhe materiale. Vuajtjet dhe shkatërrimet do të ndikojnë te brezat e ardhshëm. Gjatë telefonatës, theksuam rëndësinë e uljes së përshkallëzimit”, u shpreh Støre.
Finlanda dhe Norvegjia, të cilat ndajnë kufi me Rusinë dhe mbështesin Ukrainën, kanë interes të përbashkët për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Detit Baltik dhe në veriun e largët të Europës. Në deklaratën zyrtare theksohet gjithashtu se Stubb dhe Støre zhvilluan bisedën në cilësinë e drejtuesve të vendeve të tyre dhe jo në emër të Europës si një e tërë.

