Moderatorja e ‘Top Story’ Grida Duma komentoi garën brenda PS dhe PD për kandidatin që do të përfaqësojë secilën parti në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Ajo tha se nuk pret që PD të mbajë Florian Binajn si kandidat, duke vlerësuar se partia do të zgjedhë një “figurë politike” të konfirmuar, ndërsa për PS vërejti se futja e Erion Braçes në garë tregon se brenda partisë ka konkurrencë, megjithëse vendimin përfundimtar, sipas saj, do ta marrë Edi Rama.
Duma deklaroi se kishte parashikuar në studio që Binaj nuk do të ishte më kandidati i PD-së dhe se ia kishte thënë edhe një përfaqësuesi të partisë, i cili në fillim e kishte mohuar. Ajo përmendi se më vonë Berisha deklaroi se duhej të përfaqësoheshin nga një figurë politike. Duma vlerësoi se Binaj pati pëlqyeshmëri të lartë dhe e përshkroi fushatën e tij si “pothuajse vetmitare”, pa mbështetje të strukturave të partisë, duke u detyruar të shfaqej vetë në rrugët e Tiranës. Sipas saj, Binaj vetë tha se nuk dëshironte të kishte në krah partitë politike, por Duma vuri në dukje diferencën mes liderëve dhe strukturave, duke theksuar se strukturat e partisë janë ato që kanë mbetur të penalizuara dhe po vuajnë pasojat.
Ajo përshkroi Binajn si një “atraksion të ri” që solli një ngjyrë të ndryshme në një PD që sipas saj nuk po jepte energji të reja. Nga kjo perspektivë, Duma theksoi se PD do të vijë me një figurë politike dhe shprehu preferencën e vet për kandidatë politikë, duke thënë se “kuajt politik” nuk zëvendësohen nga ata jo politikë.
Rreth PS, Duma vlerësoi se Braçe i dha konkurencë dhe “pompim të ndryshëm” garës, duke mos menduar se i ka bërë dëm; madje, sipas saj, kjo e bën të duket se brenda PS ka garë, përderisa më parë gara kishte qenë disi monotone. Sidoqoftë, ajo përsëriti se verdiktin përfundimtar do ta japë kryetari i partisë, Edi Rama.















