Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë të shkallës Rihter goditi jugun e Filipineve, duke shkaktuar të paktën 32 viktima, mbi 200 të plagosur dhe dëme të mëdha materiale në disa provincia. Autoritetet njoftojnë gjithashtu për të paktën 12 të zhdukur, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet nën rrënoja. Epiqendra u regjistrua pranë ishullit Mindanao; qyteti i General Santos, me mbi 700 mijë banorë, pësoi dëmet më të rënda, me dhjetëra ndërtesa të shembura ose të dëmtuara rëndë, rrugë të mbuluara nga rrënoja dhe infrastrukturë të dëmtuar.
Një rrëshqitje e fuqishme dheu në provincën Sarangani, shkaktuar nga lëkundjet, mori jetën e 13 banorëve. Viktima të tjera u raportuan në provincat Cotabato Jugore dhe Davao Occidental, ku ndërtesa banimi dhe objekte fetare u shembën. Tërmeti goditi edhe gjatë ditës së parë të mësimit pas pushimeve dy-mujore; në Malita, mbi 100 nxënës po merrnin pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit kur toka filloi të lëkundej. Drejtuesit e shkollës thanë se pati panik me fëmijë që vrapuan dhe qëndruan të frikësuar, megjithëse nuk u raportuan lëndime serioze në ambientet shkollore.
Pas tërmetit u lëshua menjëherë alarm për cunami; valë deri në 1.4 metra u regjistruan në disa zona bregdetare të Filipineve, ndërsa lëkundjet e detit u ndjenë edhe në Indonezi, Palau dhe pjesë të Japonisë. Paralajmërimi u hoq rreth pesë orë më vonë, pasi rreziku u konsiderua i reduktuar, por komunitete bregdetare raportuan dëme materiale nga depërtimi i ujit.
Presidenti Ferdinand Marcos Jr. urdhëroi pezullimin e mësimit në zonat e prekura dhe mobilizimin e të gjitha agjencive shtetërore; forcat e shpëtimit, ushtria dhe ekipet mjekësore janë angazhuar në operacionet për nxjerrjen e të mbijetuarve dhe ndihmën ndaj banorëve. Shtetet e Bashkuara deklaruan gatishmërinë për të ndihmuar në operacionet e emergjencës, ndërsa Franca dhe Zelanda e Re shprehën solidaritet dhe mbështetje. Sizmiologët paralajmërojnë për lëkundje të tjera të forta pasuese dhe bëjnë thirrje që qytetarët të shmangin hyrjen në ndërtesat e dëmtuara deri në përfundimin e kontrolleve të sigurisë.

