Euro ka shënuar një rënie tjetër në kursin e këmbimit në ditët e para të kësaj jave, aq sa për të regjistruar një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me lekun.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të martën me 100.23 lekë, nga 100.24 lekë që ishte rekordi i mëparshëm, i shënuar më datë 25 qershor.
Luhatjet e kursit të këmbimit këtë verë janë minimale dhe kanë kryesisht vlerë statistikore, duke qenë se qysh prej muajit maj e në vazhdim, kursi është mbajtur praktikisht i fiksuar nga Banka e Shqipërisë, pak sipër nivelit të 100 lekëve.
Megjithatë, sezoni veror e ka ngushtuar ndjeshëm hendekun e mbiçmimit vjetor të euros. Rënia vjetore e kursit të këmbimit ka zbritur në 2.6%, nga 9.1% që kishte qenë në fund të vitit 2023.
Në kushtet e rritjes së prurjeve valutore gjatë sezonit veror, Banka e Shqipërisë ndërhyn periodikisht në tregun valutor duke kryer blerje të drejtpërdrejta të valutës, me qëllim për të mos lejuar rënien e monedhës europiane poshtë kufirit të 100 lekëve. Kjo ndërhyrje është argumentuar me objektivin ligjor të inflacionit. Në pjesën e parë të këtij viti, inflacioni ka rënë poshtë objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Sipas INSTAT, në muajin qershor inflacioni vjetor ishte 2.1%, në nivelet më të ulët të tre viteve të fundit. Një efekt të rëndësishëm në uljen e inflacionit ka patur edhe forcimi i lekut në kursin e këmbimit me euron, duke ulur inflacionin e importuar nga jashtë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e valutës së blerë në treg do të bëhet publike vetëm në raportin për ndërhyrjet në tregun e parasë, që si rregull publikohet me një kohë vonesë prej tre muajsh.
Leku i fortë ka ndihmuar në uljen e inflacionit të mallrave të importuara, por nga ana tjetër ka patur efekte negative mbi sektorët eksportues të ekonomisë shqiptare. Pasojat kanë qenë veçanërisht serioze në sektorin e fasonerisë, por ndërkohë edhe bizneset e lidhura me turizmin e shpjegojnë pjesërisht rritjen e çmimeve me zhvlerësimin e monedhës europiane./Monitor















![Arrestohet 31-vjeçari pas gjashtë muajsh hetim për shpërndarje kanabisi në Fier
Hetimet për aktivitetin kriminal të tregtisë së narkotikëve vazhdojnë të japin rezultate, ku Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Fier, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Target”. Ky operacion u udhëhoq për gjashtë muaj duke përdorur metoda speciale hetimi. Arrestohet […]](https://timoni.al/wp-content/uploads/2026/01/Arrestohet-31-vjecari-pas-gjashte-muajsh-hetim-per-shperndarje-kanabisi-ne-120x86.png)