Ish-kryeministri Sali Berisha ka pritur ditën e sotme në zyrë kryebashkiakun e sapozgjedhur të Kavajës, Fisnik Qosja.
Lajmin e ka bërë me dije vetë Berisha përmes disa fotove të publikuara në rrjetet sociale. Lideri i PD-së së Foltores shkruan se e ka falenderuar Qosjan dhe ekipin e tij për rezultatin e arritur dhe i ka uruar suksese në detyrën e tij të re.
Postimi i plotë:
Takim me Kryetarin e Bashkisë Kavajë, z. Fisnik Qosja.
Miq, sot prita në një takim kryetarin e ri të Bashkisë Kavajë, z. Fisnik Qosja. Në këtë takim shpreha mirënjohjen time të pakufishme për qytetarët, të cilët njëlloj si në vitet ‘90 e çliruan si të pamposhtur me datë 14 maj Kavajën nga monizimi i dytë.
Unë gjithashtu falenderova përzemërsisht kryetarin e ri të Bashkisë së Kavajës, degën e Partisë Demokratike dhe të gjithë ekipin e tij për suksesin shëndritës që arritën në këtë fushatë dhe i urova z. Qosja suksese në detyrën e tij të lartë dhe fisnike si qytetar i parë i Kavajës.



