STRASBUG- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha para mediave në Strasburg se deputetët dhe grupet parlamentare të KE-së do të vijnë për të vëzhguar zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri. I pyetur nëse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ishin të informuar për situatën dhe për atë që ndodh në Shqipëri, Berisha tha se ata nuk ishin krejtësisht pa informacion. Kryedemokrati shtoi se në takimet e tij ai i njohu përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës me të gjithë mekanizmat që ka krijuar kryeministri Edi Rama.
Berisha u pyet nëse pati një qëndrim për drejtësinë e re edhe nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare në KE gjatë takimeve informale kur ai denoncoi arrestimet e liderëve të opozitës. Për këtë kryedemokrati tha se nuk ka diskutim që proceset politike janë procese tipike të diktaturave, dhe ky, sipas tij, është vlerësimi, ndaj edhe nuk mund të ketë vlerësim tjetër.
Gjithashtu Berisha u pyet se cili do të jetë rithkimi i tij i radhës pas atij në CDU, PPE dhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ai tha se dështoi tërësisht një politikë e cila synoi të izolojë Partinë Demokratike. Sipas tij, “gjarprit ju pre koka në Uashington” dhe politika e izolimit mori fund.
Pyetje-përgjigje:
Pyetje: Keni pasur disa takime në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Keni mbajtur dy fjalime, në dy grupe parlamentare të ndryshme. A ishin të informuar për situatën dhe për atë që ndodh në Shqipëri, gjatë këtyre takimeve informale, përveç fjalës tuaj të hapur.
Sali Berisha: Nuk mund të them se ishin të informuar, por natyrisht krejtësisht pa informacion nuk ishin. Megjithatë, kjo për mua ishte një ditë shumë e rëndësishme, ku pata mundësinë të paraqes gjerësisht, para një audience të gjerë, para dy grupeve parlamentare dhe të disa delegacioneve, të grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane, dhe të grupit parlamentar të Konservatorëve dhe Patriotëve Europian, të takohem me disa delegacione, siç ishte delegacioni i Suedisë, i Greqisë, delegacioni i Italisë.
Të takoj në një takim të veçantë dhe shumë të rëndësishëm me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zotin Theodoros Roussopoulos dhe takime të tjera pastaj me miq. Mendoj se ekspozeja dhe paraqitja e situatës, e një Shqipërie që në 30 vjetorin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Europës është kthyer në një narkoshtet që përbën rrezik jo vetëm për qytetarët e vet, por për rajonin dhe Europën. Kishte një rëndësi shumë të madhe për vendin, kishte një rëndësi shumë të madhe për të ardhmen e Shqipërisë.
Faktet janë aq kokëforta dhe aq bindëse sa që, mund të them siç u pa dhe pata fatin gjatë ditës të marr përshtypje falënderuese dhe falënderim për ekspozetë që paraqita në këto dy grupe parlamentare dhe në delegacionet e vendeve anëtare që takova. Qëllimi kryesor ishte të zgjoja vëmendjen e madhe që duhet të tregojnë për zgjedhjet dhe mora garanci të plotë se, përfaqësuesit e këtyre grupeve do të jetë të pranishëm dhe me interesin më të madh për vëzhgimin më të hollësishëm të zgjedhjeve të ardhshme. I njohja me gjithë mekanizmat që ka krijuar Edi Rama. Arrestimin e liderëve të opozitës vitin elektoral, etj., etj., kështu që them se u bë një punë shumë e mirë.
Pyetje: Ju më herët keni denoncuar faktin se Edi Rama i keqinformon Europianët. A ka ndryshuar kjo situatë tashmë?
Sali Berisha: Kjo situatë po ndryshon, them se po ndryshon, nuk mund të them se ka ndryshuar plotësisht, sepse ju e patë edhe në takimin e fundit që pata, njerëzit mbetën të habitur nga ato që dëgjonin. Kjo situatë ndryshon. Ajo që është shumë e rëndësishme është se, nuk është më një situatë e mbuluar nga heshtja, nga censura, nga terri. E thashë dhe në takimin e fundit, janë përpjekur shumë ta izolojnë PD-në dhe të mbulojnë të gjithë këtë veprimtari të Edi Ramës. Por tani kjo ka marrë fund. Gjërat po dalin në dritën e diellit dhe po kuptohet shumë mirë se ç’përfaqëson regjimi i Tiranës.
Pyetje: Gjatë fjalimeve tuaja denoncuat arrestimet politike të liderëve të opozitës. Pati një qëndrim për drejtësinë e re edhe nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare në KE gjatë takimeve informale?
Sali Berisha: Nuk ka diskutim që proceset politike janë procese tipike të diktaturave, dhe ky është vlerësimi, nuk mund të ketë vlerësim tjetër. Në këtë aspekt sigurisht, unë garantova se ne jemi të përkushtuar në luftën ndaj krimit të organizuar me zero tolerancë, ndaj korrupsionit me zero tolerancë, por kjo nuk do të thotë se, lufta kundër korrupsionit të përdoret për të mbuluar luftën kundër kundërshtarëve politikë, nuk do të thotë të përdoret kjo të vendosësh censurës, siç po vendos Edi Rama mbi mediat, mbi Tik Tok-un. Denoncova siç e nigjuat edhe pajisjen DIP të kontrollit të internetit. Pra, praktikisht Shqipëria po degradon gjithnjë e më shumë në një shtet policor. Pata edhe takime të tjera të rëndësishme, në të cilat diskutuam për çështje deliktare, shumë të rëndësishme për të drejtat e njeriut, dhunime, abuzime të papranueshme, të dënueshme të të drejtave të njeriut.
Pyetje: A keni ju besim tek premtimi i këtyre përfaqësuesve në dërgimin e delegacioneve në zgjedhje dhe monitorimin e tyre.
Sali Berisha: Plotësisht besim, kam shumë besim. Me siguruan në mënyrë shumë të vendosur. Kanë ngarkuar përfaqësuesit e tyre dhe unë mund të them se, nga e gjithë Europa, edhe tek rrimë në korridore na kapën deputetë, anëtarë të këtyre grupeve duke na thënë se, do të vijnë për vëzhgim, ose të tjerë do të vijnë. Ishte shumë i dobishëm në këtë drejtim.
Pyetje: Në pak muaj jeni rikthyer në CDU, PPE ndërsa sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ku është rikthimi tjetër?
Sali Berisha: Dështoi tërësisht një politikë e cila synoi të izolojë Partinë Demokratike. Gjarprit ju pre koka në Uashington dhe politika e izolimit mori fund. Partia Demokratike sot është forca politike më e përkrahur në rrafshin ndërkombëtar.