Zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike do të zhvillohen me një kandidat të vetëm, Sali Berishën, deklaroi vetë ai gjatë takimit me demokratët në Dibër. Berisha argumentoi se, megjithëse ka garë, kandidatët e tjerë nuk përmbushin kriteret e nevojshme dhe për këtë arsye procesi do të jetë me një kandidaturë. Ai u përqëndrua kryesisht te rastet konkrete që sipas tij nuk plotësojnë këto kritere, duke përmendur veçanërisht kandidaturën e mjekes Merema Sela dhe duke thënë se kandidatët e tjerë “nuk ishin fare pjesë e PD”.
Për Meremën, Berisha theksoi se në garën e mëparshme në Durrës ajo kishte marrë vetëm 43 vota, dhe se përfshirja e saj në garën për kreun e PD do ta bënte procesin “qesharak”. Ai nënvizoi se për të kandiduar për të udhëhequr partinë duhet të plotësohen disa kritere, përndryshe gara humbet seriozitetin dhe nuk i bën nder procesit. Pas përjashtimit nga gara, Merema Sela kishte paralajmëruar se do të përballej me Berishën në rrugë gjyqësore.
Berisha pohoi se PD po bën zgjedhje dhe se po aplikon parimin “një anëtar, një votë”. Ai vuri në dukje se në rreth 90% të rasteve zgjedhjet me këtë model zhvillohen me një kandidat, sepse ata që kanë peshë dhe nuk janë të sigurt për fitore shpesh nuk pranojnë të hyjnë në garë. Megjithatë, për t’u bërë pjesë e garës, sipas tij, duhet të plotësohen kriteret përkatëse.
Ai gjithashtu përmendi një episod gjatë kohës që ishte në Zagreb, kur, sipas tij, “doli Meremja dhe vuvuzelat: e ka fut Flamur Noka”. Berisha tha se Noka dhe komisioni vendosën se Merema nuk plotëson kriteret. Takimi i zhvilluar në Dibër shërbeu për të sqaruar këto qëndrime dhe arsyet e Berishës për mbajtjen e zgjedhjeve me një kandidat.

