Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi se ka “bllokuar” pushimet verore të tij dhe të strukturave të partisë, duke deklaruar se opozita do të vazhdojë me angazhim të plotë në luftën kundër asaj që e quajti “mafia më e rrezikshme në Evropë”. Para gazetarëve ai theksoi se lëvizja opozitare do të jetë në formën e një “kryengritjeje paqësore” dhe do të zhvillojë një “betejë të pandërprerë” kundër kësaj strukture, duke shtuar se, në emër të shtetit ligjor, nuk mund të ketë pushim nga përpjekjet e tyre. Përsëritja e sloganeve “Betejë, betejë dhe vetëm betejë” ishte pjesë e deklaratës së tij si theks i vendosmërisë për vijimin e aktivitetit opozitar.
Berisha foli gjithashtu për procesin e brendshëm të zgjedhjeve të Partisë Demokratike, duke e përshkruar atë si “formën më demokratike” të zgjedhjes së një lideri politik. Ai deklaroi se me votimin e planifikuar anëtarësor mbyllet procesi për zgjedhjen e kryetarit të PD-së dhe ftoi anëtarët të marrin pjesë në procesin “një anëtar-një votë”, i cili sipas tij do të shërbejë si shprehje e votëbesimit për Sali Berishën. Ai theksoi se ky proces, përkundër diskutimeve të bërë nga kundërshtarë, është më transparenti dhe më demokratiku për të vendosur për drejtuesin e partisë.
Duke komentuar mungesën e kandidatëve të tjerë në garë, Berisha tha se në shumicën e rasteve kur në konkurim është kryetari aktual, rivalët zgjedhin të mos përfshihen për shkak të pasigurisë mbi rezultatin. Ai përmendi se kjo sjellje nuk është ekskluzive për Shqipërinë, por ndodh “në Evropë dhe në botë”, duke theksuar se shumë parti politike nuk zgjedhin kryetarin me parimin “një anëtar-një votë”, por përmes forumeve, aklamacionit ose forma të tjera që mbulojnë procesin e përzgjedhjes.

