Tani që natyra ka marrë ngjyrat e pranverës, fundjava i gjen Belshin të pushtuar nga turistë të huaj, të cilët nga vende të ndryshme shprehen se mahniten nga natyra e Shqipërisë dhe mikpritja e banorëve. Një turiste nga Londra, me origjinë nga Ghana, thotë: “Jam nga Londra, me origjinë jam nga Gana. Është hera e dytë që e vizitoj Shqipërinë. Kam qenë këtu më parë. Kam vizituar Krujën. Por është hera ime e parë në Belsh. Më pëlqen natyra e qetësia këtu. Përfundimisht shqiptarët janë shumë të ngrohtë e mikpritës.” Një vizitore nga India shpjegon: “Jam nga India. Është hera e parë këtu dhe është shumë bukur. Mbërritëm dje. Sot do të shkojmë në Berat. Do të qëndroj këtu 5 ditë. Kisha dëgjuar për rivierën shqiptare dhe kjo është arsyeja që vendosa ta vizitoj.”
Turistët holandezë tregojnë se nisën udhëtimin nga Shkodra dhe kanë në plan edhe Berat: “Jemi nga Holanda e jemi me pushime këtu. E nisëm nga Shkodra e tani jemi në Belsh e do të shkojmë në Berat. Më pëlqen Shqipëria ju jeni një vend i bekuar gjithandej.” Një turist nga Franca vëren ndryshimin mes pritshmërive të mëparshme dhe realitetit: “Unë jam nga Franca. Është hera ime e parë në Shqipëri. Njerëzit janë shumë të këndshëm këtu. Është një mënyrë shumë e mirë për ta zbuluar vendin tuaj. Është shumë ndryshe nga sa e kisha imagjinuar në të kaluarën. I kisha menduar njerëzit më të ftohtë. Në fakt janë shumë miqësorë. Është e lehtë të udhëtosh.”
Zona e Dumresë, ku ndodhet Belshi, vizitohet çdo vit rreth 500,000 nga turistë vendas e të huaj. E konsideruar si një “Toskanë e vogël” në qendër të Shqipërisë, Belshi shënon kulmin e vizitorëve në pranverë dhe vjeshtë. Freskia e 82 liqeneve, kodrat e zbukuruara me ullishte dhe gatimet tradicionale kanë shndërruar Dumrën në një destinacion të preferuar për fundjavë.

