Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ku u vlerësua progresi i Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Gjatë takimit u përmend mbajtja e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1 “Themeloret”.
Begaj i përcolli bashkëbiseduesit vendosmërinë e Shqipërisë për të plotësuar agjendën dhe objektivat me qëllim mbylljen e grupkapitujve brenda vitit 2027. Ai theksoi rëndësinë e reformave dhe përputhshmërisë me standardet e BE-së si elemente kyçe të këtij procesi.
“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane,” u shpreh kreu i shtetit, duke nxjerrë në pah përkushtimin e vendit për zbatimin e masave kyçe të marrëdhënieve me BE-në.
Presidenti Begaj deklaroi gjithashtu se “Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një proces integrimi, por një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian” dhe falenderoi Presidentin Costa për prioritizimin e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë mandatit të tij.
Në takim u shpreh mirënjohje për mbështetjen e Këshillit dhe Komisionit Evropian ndaj Shqipërisë në rrugëtimin drejt anëtarësimit. Begaj nënvizoi se Shqipëria do të vijojë “me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian” dhe shtoi se reformat kryhen jo vetëm për të përmbushur kërkesat e BE-së, por edhe “për qytetarët tanë.”

