Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas njoftimit të Presidentit Bajram Begaj për nisjen e konsultimeve me palët politike lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore. Bardhi e quan këtë proces “teatër politik” dhe akuzon kreun e shtetit se nuk po përmbush detyrën kushtetuese, por po i shërben kryeministrit Edi Rama.
Ai thotë se ftesa e Presidentit është “tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment” dhe shpreh keqardhje që, sipas tij, Shqipëria nuk ka një President që ushtrojnë rolin e tij kushtetues, por “një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës”. Bardhi thekson se qytetarët kanë dalë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe për këtë arsye Presidenti duhet të marrë seriozisht shqetësimet që prej muajsh po ngre qytetari.
Në reagimin e tij, Bardhi argumenton se nëse Presidenti do të ushtronte realisht funksionin kushtetues, do të trajtonte çështjen si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve të qytetarëve. Në vend të kësaj, vijon ai, Presidenti po hesht përballë shqetësimeve dhe po mbetet “në rolin e një spektatori, duke i shërbyer pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson”.
Bardhi ka publikuar gjithashtu një fotografi ku shfaqen Edi Rama dhe Bajram Begaj në Kuvend, si shoqërim i reagimit të tij publik. Reagimi i kryetarit të grupit parlamentar vjen menjëherë pas njoftimit të Institucionit të Presidentit për thirrjen e konsultimeve lidhur me datën që, sipas tij, Edi Rama ka paracaktuar për zgjedhjet vendore.
Në të gjitha komentet e publikuara, Bardhi insiston në nevojën që Presidenti të jetë “zëri i Kushtetutës, i demokracisë dhe i qytetarëve” dhe kritikon që ai ka zgjedhur të qëndrojë jashtë përballjes me çështjet që po sjellin protesta qytetare.

