Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, pritën në Pallatin Quirinale kryetarët e të gjitha komunave arbëreshe në Itali, përfaqësues të komuniteteve që, siç u theksua, prej më shumë se pesë shekujsh ruajnë një pjesë të historisë dhe identitetit të përbashkët europian. Në fjalën përshëndetëse, Begaj vlerësoi lidhjet historike dhe vëllazërore midis Shqipërisë dhe Italisë, duke cilësuar komunitetin arbëresh si dëshmi të gjallë të kësaj miqësie dhe themel të vëllazërisë ndërmjet dy popujve.
Presidenti falënderoi veçanërisht Presidentin Mattarella për organizimin e takimit dhe e përshkroi atë si mik të madh dhe mbështetës të anëtarësimit evropian të Shqipërisë. Begaj theksoi se takimi është shumë më tepër sesa një ngjarje protokollare, por dëshmi e miqësisë së veçantë dhe të thellë historike mes dy vendeve. Ai vlerësoi mbështetjen e përhershme të Italisë, duke e quajtur atë aleate të besueshme, partnere strategjike dhe një nga mbështetëset më të vendosura të aspiratave evropiane të Shqipërisë.
Një pjesë të veçantë të fjalës e zuri roli i arbëreshëve dhe i komunitetit shqiptar në Itali në forcimin e këtyre lidhjeve. Begaj vlerësoi modelin e integrimit të arbëreshëve në shoqërinë italiane dhe nënvizoi se ruajtja e identitetit kombëtar dhe integrimi në shoqërinë pritëse nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por e pasurojnë dhe forcojnë atë. Ai theksoi se, përveç komunitetit historik arbëresh, ekziston edhe komuniteti i ri i shqiptarëve që prej dekadash jeton, studion, punon dhe kontribuon në jetën ekonomike, shoqërore, akademike dhe kulturore të Italisë.
Duke nxjerrë si model për Evropën përvojën e dy komuniteteve, Begaj deklaroi se integrimi dhe ruajtja e identitetit mund të ecin së bashku dhe të forcojnë mirëkuptimin mes popujve. Ai theksoi gjithashtu aleancën Shqipëri–Itali në NATO dhe synimin e përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian, duke përmendur Italinë si një nga mbështetëset kryesore. Presidenti ftoi kryetarët e komunave arbëreshe të vazhdojnë të ruajnë dhe transmetojnë gjuhën, traditat, ritet dhe kulturën te brezat e rinj, duke i nxitur t’i bëjnë të rinjtë të dashurohen me këtë traditë. Në përmbyllje të takimit, të dy presidentët shkëmbyen dekorata si shenjë vlerësimi për kontributin në këtë vëllazëri dhe aleancë.

