Rregullatorët evropianë po hetojnë nëse aktorë të huaj po shfrytëzojnë trazirat dhe episodet e dhunës në Francë dhe vende të tjera të Evropës përmes fushatave të organizuara të dezinformimit në rrjetet sociale. Sipas zyrtarëve të sigurisë të cituar nga Financial Times, llogari të lidhura më parë me propagandën pro-ruse dhe grupet e ekstremit të djathtë kanë shpërndarë video të dhunshme, duke krijuar frikë se përhapja e tyre mund të thellojë tensionet. Përveç Rusisë, ekspertët kanë ngritur dyshime edhe për ndikim të mundshëm nga Irani dhe Algjeria, por deri tani nuk ka prova konkrete se këta aktorë kanë nxitur drejtpërdrejt dhunën në terren.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian tha se “ne duam të shohim se në çfarë mase platformat po bashkëpunojnë” dhe theksoi se algoritmet nuk duhet të përforcojnë fushatat e mundshme të dezinformimit. David Colon, studiues në Sciences Po dhe ekspert i dezinformimit, tha se ndikues të lidhur me Kremlinin kanë amplifikuar ngjarjet me narrativë të rreme, duke përmendur operacionin rus Storm-1516 dhe rrjetin Matryoshka, por pohoi se ndikuesit pro-rusë nuk kanë nisur protestat dhe nuk kanë përcaktuar rrjedhën e tyre.
Qeveria franceze dhe autoritete të tjera kanë kërkuar nga agjencitë e inteligjencës të shqyrtojnë nëse individë të lidhur me Rusinë kanë luajtur një rol më aktiv në nxitjen e dhunës. Një zyrtar i lartë i inteligjencës evropiane deklaroi se deri tani nuk ka prova konkrete për provokime të drejtpërdrejta nga agjentë rusë dhe aktiviteti i identifikuar duket kryesisht i përqendruar në internet dhe reagon ndaj zhvillimeve në terren, ndërsa hetimet janë në faza të hershme.
Si shembull u përmend një video e shpërndarë në platformën X me rreth gjashtë milionë shikime, e paraqitur si e regjistruar në Francë por që i përkiste protestave të vitit 2024 në Tbilisi. Shërbimi diplomatik i BE-së thotë se Franca renditet e dyta në Evropën kontinentale pas Ukrainës për nga shënjestrimi nga operacionet e dezinformimit të sponsorizuara nga shtete. Në 2023 Viginum vlerësoi se një operacion i dyshuar me lidhje me Rusinë kishte synuar ndarje shoqërore pas vizatimit të yjeve të Davidit në ndërtesa në Paris.
Ekspertët dhe autoritetet paralajmërojnë se ndërthurja e ndikuesve, algoritmeve dhe aktorëve të huaj mund të përshpejtojë përhapjen e përmbajtjeve emocionale dhe të nxisë polarizim. Shqetësime ngjashme raportohet edhe në Itali dhe Belgjikë, ku autoritetet po shqyrtojnë rolin e rrjeteve sociale, përfshirë TikTok, dhe po kërkojnë nga platformat dhe tregjet online masa për të parandaluar amplifikimin e dhunës. Komisioni Evropian ka kërkuar bashkëpunim nga platformat dhe paralajmëroi se mund të ndërhyjë nëse rreziku bëhet sistematik; zëdhënësi Thomas Rainier tha se “Dhuna që ndodh jashtë internetit nuk duhet të amplifikohet ose të shpërblehet nga algoritmet në internet.”

