Votimi i Reformës Territoriale shkaktoi përplasje në seancën parlamentare të ditës. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, reagoi kundër vendimit për të shkrirë Bashkinë e Divjakës, të cilën e përshkroi si “një nga bashkitë model”. Sipas Bardhit, vendimi për shkarkimin e saj nuk lidhet me arsyet institucionale, por me preferencat personale politike, duke akuzuar se kjo bëhet pasi ministres Belinda Balluku “nuk i pëlqen” kryetari aktual i bashkisë së Divjakës.
Bardhi solli në vëmendje edhe rastin e Bashkisë së Vaut të Dejës, për të cilën tha se mbahet e paprekur në projektin e reformës për shkak të kërkesës së PSD-së së Tom Doshit. Ai lidh këto dy vendime, duke theksuar diferencën mes trajtimit të bashkive dhe duke e paraqitur ruajtjen e Vaut të Dejës si një lloj pazar politik për vota në Kuvend. Bardhi u shpreh fjalë për fjalë:
“Me çfarë logjike shkrihet, po marr 1 bashki, që është një nga bashkitë më model bashkia e Divjakës dhe mbahet në këmbë një bashki për pazar politik për 3 vota në Kuvend, bashkia e kërkuar nga PSD e Tom Doshit. Dil këtu e na e shpjego këtë në Kuvend.”
Në të njëjtat fjalë, ai theksoi se motivi personal nuk duhet të çojë në dënimin e një komuniteti të tërë, edhe pse pranoi se nuk e pëlqen personalisht kryetarin e bashkisë së Divjakës. Bardhi deklaroi:
“Pse duhet të ruhet kjo bashki e të shkrihet bashkia e Divjakës meqenëse nuk i pëlqen Belindës kryetari i bashkisë së Divjakës, që nuk më pëlqen as mua, por nuk më jep të drejtën që të dënoj një komunitet të tërë të Divjakës se nuk na pëlqen kryetari i bashkisë.”
Ai ftoi për shpjegime në Kuvend për arsyet e ndryshme të trajtimit të bashkive nga projektligji i reformës. Teksti u transmetua nga Top Channel.

