Një nga episodet më të përfolura të Botërorit 2026 vjen nga Gana, ku Nana Këaku Bonsam, i vetëquajtur “spiritisti më i fuqishëm në botë”, pretendoi se kishte hedhur një mallkim ndaj sulmuesit anglez Harry Kane për ta penguar të shënonte kundër Ganës. Para ndeshjes së fazës së grupeve, Bonsam i tha mediave britanike se po punonte me “forcat e tij shpirtërore” kundër kapitenit të Anglisë: “Po merrem me Harry Kane. Kam treguar tashmë se çfarë jam në gjendje të bëj, ndaj e di si ta ndaloj. Jam i njohur për parashikimet e mia.” Ai shtoi se nuk dëshironte dëmtime të rënda për sulmuesin, por vetëm që ai “të mos arrinte të shënonte kundër vendit të tij”: “Nuk dua që të lëndohet. Mjafton të qëndrojë larg vendit tim. Unë do të bëj pjesën time për të ndihmuar Ganën.”
Në ndeshje, Harry Kane, sulmues i Bayern Munichut, pati një paraqitje të dobët sipas kronikës: vetëm një goditje në kuadrat dhe humbi një rast shumë të pastër, duke dërguar topin mbi traversë pas një topi që ra në zonë. Anglia u ndal në një barazim pa gola ndaj Ganës dhe nuk arriti të përsëriste paraqitjen bindëse kundër Kroacisë nga ndeshja e parë. Tifozët më supersticiozë lidhën episodin me pretendimin e Bonsamit, ndërsa media raportoi reagime pas takimit.
Pas ndeshjes, Bonsam publikoi një video në rrjetet sociale duke pretenduar se tashmë e kishte hequr mallkimin: “Unë jam spiritisti më i fuqishëm në botë. Tani do ta liroj Harry Kane që të mund të shënojë në ndeshjen e ardhshme të Anglisë.” Në Britani të Madhe pati reagime; iluzionisti dhe magjistari Uri Geller deklaroi se do të përdorte energjinë e tij për të mbrojtur Kane nga “ndikimet negative”: “Para ndeshjes do të dërgoj vibracione pozitive. Do të përdor të gjitha fuqitë, energjinë dhe njohuritë e mia për të parandaluar që energjitë negative të ndikojnë te Harry Kane.” Geller është i njohur për pretendimin e tij se kishte ndikuar në një penallti të humbur në Euro 1996.
Bonsam nuk është i panjohur për deklarata të tilla; më herët kishte thënë se kishte tentuar të pengonte pjesëmarrjen e Cristiano Ronaldos në Botërorin 2014. Tani, pas pretenduar “heqjes së magjisë”, Harry Kane do të përballet me Panamanë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, ku tifozët anglezë shpresojnë që ai të rikthehet te golat.

