Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, foli jashtë sallës së Kuvendit pas seancës plenare, duke u ndalur te votimi në Kuvend, transferimi i Erion Veliajt në burgun e Fierit dhe data e zgjedhjeve lokale. Balla vlerësoi miratimin e buxhetit, duke theksuar se shqiptarët “sot kanë marrë lajmin e mirë se kemi buxhetin e parë mbi 10 miliardë euro në gjithë historinë tonë si shtet”. Ai përmendi gjithashtu paketën fiskale që lidhet me uljen e TVSH-së për ushqimet dhe heqjen e taksës së karburanteve, duke shtuar se më herë nuk kanë qenë mundësitë financiare për këto masa. Balla tha se shpreson që edhe opozita të marrë pjesë në votimet për buxhetin.
Sa i përket Grupit Parlamentar të PS-së, Balla nënvizoi se ai përbëhet nga 82 anëtarë dhe të gjithë janë gjithmonë aty për të votuar dhe mbështetur vendimet e partisë. Ai foli për prezencën e Ballukut në zonën zgjedhore, duke përmendur se ajo ishte para dy javësh dhe se “në mes të ditës, në orën e përcaktuar, gjithmonë aty”, duke e cilësuar një nga deputetet më të mira të PS sa i përket prezencës në zonën zgjedhore.
Balla tha se në çdo mbledhje të Grupit Parlamentar kërkohet që çdo deputet të sjellë problematika për tema të caktuara; këto tematika diskutohen në mbledhje me dyer të mbyllura dhe nuk ndahen me publikun. Për çështjen e Erion Veliajt, Balla deklaroi se ka bërë të njëjtat vërejtje edhe për persona të tjerë, dhe përmendi se ka marrë ankesa edhe për ish-presidentin Ilir Meta, të cilat i ka adresuar te ministrat përkatës. Ai theksoi se çështjet që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve dhe të burgosurve duhet të trajtohen në kuadër të procesit që lidhet me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Për datën e zgjedhjeve lokale, Balla siguroi se nesër Partia Socialiste nuk do të propozojë një datë, duke respektuar kompetencën e Presidentit, por kërkoi që zgjedhjet të mos mbahen më 2 maj, pasi kjo është një festë fetare.

