Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kreu i grupit Taulant Balla njoftoi se vendimi politik është që projektligji për reformën territoriale të vazhdojë procedurat parlamentare sapo të përfundojë shqyrtimi në Komisionin e Ligjeve. Ai theksoi se ky vendim kërkon prezencën e të gjithë deputetëve dhe që ata të votojnë për vendimmarrjen e grupit parlamentar.
Balla shpjegoi se deputetët mund të kenë qëndrime të ndryshme gjatë diskutimeve, duke përmendur rastin e Vullnet Sinajt, por bëri dallimin mes shprehjes së mendimit personal dhe detyrimit për të votuar sipas vendimit politik të grupit. Ai nënvizoi nevojën që puna në Komisionin e Ligjeve të vazhdojë me intensitet, sot dhe nesër, për t’u përmbajtur kalendarit të Kuvendit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Balla mohoi se dy deputetët që kanë shprehur rezerva, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, janë kërcënuar për qëndrimin e tyre. Për pyetjen nëse vendimi i PS-së është që të gjithë deputetët të votojnë pro, ai u përgjigj se nuk kishte thënë një të tillë. Për mundësinë e penaliteteve ndaj atyre që dalin nga rreshti, Balla iu referua rregullores së grupit parlamentar.
Sa i përket mundësisë që vota e tyre të jetë kundër në seancën e së enjtes, Balla tha se nuk e dinte në atë moment, dhe përmendi se shpesh gjatë mbledhjeve deputetët mund të shprehin mendime kundër dhe të votojnë ndryshe, por në fund vendon vendimi politik. Ai shtoi se beson se deputetët e kuptojnë rëndësinë e vijimit përpara në këtë moment ku Shqipëria është afër Bashkimit Evropian, dhe përmendi se javën e ardhshme pritet një moment kulminant i lidhur me konferencën ndërqeveritare, që mbyll një kapitull tjetër dhe përbën një ndërgjegjësim politik.
Pyetjes nëse po kërcënonte dy deputetët, Balla i përgjigj “absolutisht jo”, duke i cilësuar ata si nga dy më të mirët e grupit parlamentar.
Burimi: Top Channel.

