Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka reaguar publikisht lidhur me gjyqin për dosjen e sterilizimit, përmes një deklarate të publikuar nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj. Beqaj thotë se pas gjashtë vitesh hetime ndaj tij nuk ekziston asnjë akuzë për korrupsion pasiv dhe se nuk mund të akuzohet për vjedhje vetëm për shkak të funksionit si ministër.
Ai shpjegon se në fillim u hetua për korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre, por se pas hetimeve nuk ka akuza për korrupsion aktiv apo pasiv për asnjë nga të përfshirët, as për shoqërinë koncesionare, as për administratorin e saj, as për personat që kanë lëshuar faturat apo që kanë pranuar shërbimin. Sipas Beqajt, nuk ka asnjë akuzë për shkelje të barazisë në tendera, dhe rrjedhimisht kontrata konsiderohet e ligjshme.
Ai thotë se akuza ndaj tij është ndryshuar në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe ngre pyetjen se çfarë ka vjedhur konkretisht. Beqaj përshkruan se në cilësinë e ministrit nuk ka qenë pjesë e hallkave të zbatimit të kontratave: nuk ka pranuar shërbimin, nuk ka verifikuar realizimin, nuk ka pranuar faturë, nuk ka urdhëruar apo ekzekutuar pagesa, nuk ka qenë administrator i buxhetit të FSDKSH-së, nuk ka qenë ruajtës i parave të shtetit dhe nuk akuzohet për marrje të parave apo sendeve të ministrisë. Ai thekson se pagesat janë kryer nga FSDKSH drejt koncesionarit mbi bazë kontrate, faturash, pranimi shërbimi dhe përmes Thesarit të Shtetit, dhe nëse faturimi ka qenë i rregullt, atëherë kemi pagesë kontraktore e jo vjedhje.
Beqaj argumenton se përgjegjësia penale është personale dhe se dënimi mund të vijë vetëm nëse provohet veprimi penal konkret. Ai deklaron se nuk ka provë që të ketë marrë para, përfituar, urdhëruar pagesa, pranuar shërbime apo faturë, apo qenë pjesë e faturimit të rremë. Për këtë arsye ai e cilëson të pabazuar akuzën për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, kërkon të mos akuzohet pa u treguar shuma e pretenduar të vjedhur dhe njofton se do të komunikoje më tej shpjegime lidhur me mangësitë e akuzës sipas Kodit Penal. Deklarata mbyllet me emrin Ilir Beqaj.

