Ish-kryeministri Avdullah Hoti, aktualisht deputet i LDK-së, ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai vë në dukje se, megjithëse qytetarët kanë dalë në protesta në rrugët e Prishtinës, parlamenti ende nuk ka organizuar asnjë seancë për të shprehur qëndrimin institucional të Kosovës ndaj këtij aktgjykimi.
Hoti thekson se duhet respektuar pavarësia e sistemit gjyqësor, por njëherësh Kuvendi dhe Qeveria duhet të kenë një qëndrim institucional ndaj vendimit, pasi ai është i shkallës së parë dhe nuk është përfundimtar. Sipas tij, Kuvendi duhet të miratojë një rezolutë të re që përcakton angazhimin shtetëror të Republikës së Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit në shkallën e dytë.
Deputeti i LDK-së kërkon që para së gjithash të bëhet e qartë se “askush nuk mund ta kriminalizojë luftën e popullit të Kosovës për mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe për liri”, duke nënvizuar se kjo duhet të reflektohet në qëndrimin institucional. Ai shton se Kuvendi duhet t’i kërkojë Qeverisë mobilizim të plotë diplomatik me aleatët ndërkombëtarë që kanë kërkuar dhe mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara, me qëllim që shqyrtimi në shkallën e dytë të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë plotësisht standardet e drejtësisë.
Hoti vë në dukje se populli i Kosovës nuk është duke heshtur, por po proteston natë e ditë në sheshin e Prishtinës, dhe paralajmëron se institucionet me mandat për të kujdesur për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e akteve të lëshuara në emër të popullit nuk duhet të heshtin. Ai kërkon që përgjigja institucionale të jetë e qartë dhe e koordinuar, për të siguruar që procesi në shkallën e dytë të zhvillohet në përputhje me standardet dhe interesin shtetëror. (Top Channel)

