Një nga projektet rrugore më ambicioze dhe më të kushtueshme në botë po zbatohet në Ishullin Reunion, territor francez në Oqeanin Indian: autostrada Nouvelle Route du Littoral. Kjo infrastrukturë kryesisht mbi det është krijuar për të zëvendësuar një nga rrugët më të rrezikshme të ishullit dhe ka një kosto që mund të arrijë deri në 200 milionë euro për kilometër, duke e renditur ndër më të shtrenjtët globalisht. Rruga, me një gjatësi totale rreth 12 kilometrash, lidh kryeqytetin Saint-Denis me portin La Possession dhe kalon kryesisht mbi Oqeanin Indian. Segmenti kryesor është në funksion që nga viti 2022, ndërsa përfundimi i plotë parashikohet në vitin 2030.
Pjesa më spektakolare është një seksion 5.4 kilometra i gjatë, i mbajtur mbi shtylla të vendosura në fundin e detit. Viadukti mbështetet mbi 48 shtylla dhe në ndërtimin e tij janë përdorur më shumë se 1.300 elemente të parafabrikuara, të montuara në vend. Projekti përfshin gjashtë korsi qarkullimi, një korridor të dedikuar për transportin publik dhe një shteg për këmbësorë dhe biçikleta, duke synuar të rrisë kapacitetin dhe diversifikojë modalitetet e lëvizjes.
Ndërtimi është konsideruar një sfidë e jashtëzakonshme inxhinierike për shkak të kushteve të vështira detare dhe ekspozimit ndaj cikloneve tropikale dhe dallgëve të fuqishme. Inxhinierët e kanë projektuar autostradën që të përballojë ciklone, dallgje të mëdha dhe edhe përplasje të mundshme me anije. Jetëgjatësia e saj vlerësohet rreth 100 vjet.
Nevoja për këtë projekt erdhi pas problemeve të shpeshta në rrugën e vjetër bregdetare, Route du Littoral (RN1), e cila kalonte poshtë shkëmbinjve të pjerrët dhe vuante nga rrëshqitje dherash, rënia e gurëve dhe moti i keq, duke shkaktuar bllokime dhe rrezik për drejtuesit. Sot, rreth 70 mijë automjete përdorin çdo ditë segmentin e hapur të autostradës, që ka përmirësuar ndjeshëm sigurinë dhe lëvizjen në pjesën lindore të ishullit. Pas përfundimit të plotë, Nouvelle Route du Littoral pritet të sigurojë një lidhje të qëndrueshme dhe funksionale gjatë gjithë vitit, pavarësisht kushteve të motit.

