Autoritetet greke neutralizuan me një shpërthim të kontrolluar rreth 100 kilogramë lëndë eksplozive që u gjetën në një dron detar misterioz në Lefkadë. Mjeti pa pilot u zbulua nga dy peshkatarë në zonën detare të Vasilikís, të cilët njoftuan autoritetet portuale, sipas raportimit të korrespondentit të Top Channel në Greqi, Aleksandër Marku.
Droni ishte fshehur në një shpellë dhe eksplozivët ishin vendosur brenda një fuçie. Pas zbulimit mjeti u tërhoq në portin lokal dhe më pas u transportua në zonën e Astakos, ku u krye shpërthimi i kontrolluar. Vazhdojnë analizat teknike nga specialistë të Marinës Ushtarake greke.
Sipas të dhënave të para, droni kishte karakteristika që ngjajnë me sisteme ushtarake ose paraushtarake. Në pjesën qendrore ndodhej një kamerë me rezolucion të lartë dhe kishte dy panele që besohet se lidhen me sistemin e navigimit. Ekspertët vlerësojnë se mjeti kishte aftësi lundrimi autonom, me bateri të integruara dhe sistem GPS. Ai ishte me ngjyrë të zezë dhe me profil shumë të ulët mbi sipërfaqen e detit, gjë që e bënte të vështirë zbulimin, sidomos gjatë natës.
Dy nga tre sensorët e përparmë rezultuan të thyer kur droni u gjet, çka përforcon skenarin se ai mund të jetë përplasur në shkëmbinj pasi humbi orientimin ose sinjalin GPS. Hetimet janë përqendruar te memoria dixhitale dhe sistemi elektronik i mjetit, me qëllim përcaktimin e origjinës, itinerarit dhe objektivit të mundshëm.
Autoritetet po analizojnë gjithashtu sistemet e komunikimit, sensorët, antenat, motorin shtytës dhe lëndën eksplozive. Të gjitha skenarët mbeten të hapur, përfshirë mundësinë që mjeti të ketë humbur kontaktin me qendrën e kontrollit dhe të jetë dalë jashtë kontrollit për shkak të kushteve atmosferike dhe rrymave detare. Ende nuk ka një njoftim zyrtar sa i përket përkatësisë dhe qëllimit të mjetit, ndërsa në mediat greke qarkullojnë skenarë të ndryshëm.

