Policia e Sarandës, pas kontrolleve në lagjen “Baba Rexhepi” — zonë ku dyshohet se u drejtuan autorët pas atentatit ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati — gjeti një motorr të braktisur. Motorri u lokalizua buzë detit, në një prej gjireve të zonës të quajtur “Kasollja”. Sipas policisë, ekziston dyshimi se ai i përket autorëve të ngjarjes të mbrëmjes së së premtes. Mjeti nuk kishte shenja dëmtimi apo djegieje, çka mund t’i shërbejë grupit hetimor për të mbledhur material gjenetik dhe për të identifikuar personat e përfshirë.
Gjetja e motorrit pranë detit shton dyshimet se autorët mund të jenë larguar me mjet lundrues ose të jenë fshehur në banesat e zonës periferike. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu faktin se atentati, sipas dyshimeve, ishte i planifikuar. Organizatori dyshohet se ka shfrytëzuar qëllimisht ngjarjen e një dite më parë, kur djali i Rubatit u konfl iktua me një oficer policie, për të ngatërruar pistën e hetimit dhe për të krijuar një hapësirë të paqartë rreth motivit dhe kohës së kryerjes së aktit.
Ekzistojnë informacione se autorët dinin se policia kishte sekuestruar natën përpara DVR-të e kamerave të zonës, dhe këtë e kanë shfrytëzuar për të kryer ngjarjen në një zonë të pambuluar nga kamerat. Kjo qasje, sipas burimeve, tregon planifikim dhe njohje të situatës së sigurisë në terren.
Deri tani grupi hetimor po ndjek dy pista kryesore: konflikti për pronësi dhe konflikti personal për motive të tjera. Hetimet kanë gjetur pak indicie që të mbështesin pistat për larje hesapesh ose hakmarrje, duke i konsideruar këto të dobëta për shkak të mungesës së provave të qarta. Autoritetet vazhdojnë punën hetimore për mbledhjen e provave dhe identifikimin e të dyshuarve, duke përdorur materialin fizik të gjetur dhe hetimet në terren për të zbardhur rrethanat e atentatit.

