Një vajzë 10-vjeçare me origjinë shqiptare u plagos gjatë një sulmi me armë ndaj lokalit të babait të saj në lagjen Agios Panteleimonas të Athinës. E mitura ndodhej brenda kafenesë kur persona që lëviznin me një makinë hapën zjarr drejt fasadës. Korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe, raporton se e mitura është vajza e pronarit Denis Luli, 30 vjeç. Sipas mediave greke, në automjet ndodheshin katër persona qëlluan pa zbritur dhe më pas u larguan; në lokal ndodheshin edhe rreth dhjetë klientë. Nga hetimet e para dyshohet se urdhri për atentatin është dhënë nga burgu, prej Klodian Lekocaj, një emër shumë i njohur për policinë greke, por ende nuk dihet se kush ishte shënjestra dhe cilat ishin arsyet e konfliktit.
Klodian Cara, alias Klodian Lekocaj, 49 vjeç, i njohur edhe si “Luli” ose “Ilia”, është përmendur nga mediat greke si kreu i ashtuquajturës “Mafia e Burgjeve”. Vetë ai në daljet publike i ka mohuar disa akuza, duke u përshkruar si “i pafajshëm” dhe “i përdorur”, por policia, sipas raportimeve, disponon fakte, dëshmi dhe përgjime që e lidhin me aktivitete të grupeve kriminale shqiptare dhe greke dhe me rekrutimin e të dënuarve si vrasës me pagesë.
Në hetime të mëparshme, në shtator 2022 u arrestuan dy shqiptarë, Viktor Çala dhe Andi Beqiri, në automjetin e të cilëve u gjetën dy kallashnikovë dhe një thikë; hetimi zbuluar se Çala ishte autor i një vrasjeje dhe një tentative vrasjeje, për të cilat deklaroi se ishte urdhëruar nga Lekocaj për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Kundër Lekocajt janë ngritur akuza të ndryshme për urdhërim vrasjesh, përfshirë një avokat grek dhe disa të burgosur, përfshirje në tentativa vrasjesh, gjobëvënie e ndihmë arratisjeje.
Historiku i tij përfshin arrestime dhe arratisje: i arrestuar për vjedhje në 1997, arratisje nga burgu i Volosit në 2003, plagosje me armë në 2005 dhe thikë në 2006 në Agios Panteleimonas. U arrestua për trafik droge në 2013, u arratis nga burgu i Korfuzit në 2014 dhe më pas u përfshi në ngjarje të dhunshme dhe një vrasje në Metaxurgio; u arrestua përsëri në nëntor 2014. Lekocaj është përmendur lidhur me emra të ekzekutuar më parë në Greqi dhe është akuzuar për rekrutimin e një vrasësi në 2019 dhe gjobëvënie në 2023. Në prill 2025 i është bërë akuza për porositjen e atentatit ndaj dy shqiptarëve në shtator 2024. Në maj 2025 ai mori peng dy gardianë në burgun e Korydhalosit, tentoi të ndryshonte sektor dhe më pas në kontrollin e qelisë policia gjeti celularë, thika dhe kokainë.

