Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në Manastir në Europe House, zhvilloi një takim me të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, si dhe me rektorë dhe përfaqësues të universiteteve. Në fokus të bisedës ishin arsimi, identiteti kulturor, bashkëpunimi ndërmjet të rinjve dhe e ardhmja europiane, në përvjetorin e Alfabetit Shqip.
Rama theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe si element bazë të identitetit, duke folur për sakrificat e mëdha që janë bërë për të: “Për gjuhën që na bashkon si lënda bazë e identitetit tonë janë bërë sakrifica të jashtëzakonshme, janë sakrifikuar jetë dhe janë përfshirë një numër i madh njerëzish që për ta gjuha shqipe ka qenë një mision jete.” Ai shtoi se shqipja duhet të ruhet dhe të pasurohet, duke e përshkruar atë si “një kopsht i madh ku duhet kultivuar dhe pasuruar, një kopsht që ka xhevahir.”
Kreu i qeverisë nënvizoi nevojën për t’u angazhuar në ndërtimin e një biblioteke digjitale që përmbledh pasurinë e gjuhës shqipe, nga tekste themelore e deri te veprat letrare, dhe njoftoi se qeveria e Shqipërisë do të marrë këtë hap. Ai vuri në dukje se teknologjia ofron ndihmë të rëndësishme për realizimin e një projekti të tillë, duke lehtësuar qasjen dhe ruajtjen e materialeve në shqip.
Në përfundim të fjalimit, Rama u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit dhe bëri një koment që lidhej me situatën aktuale politike dhe protestat në Shqipëri. Ai u shpreh: “Sot është një kohë pak e veçantë sepse ata që duan të trokasin tremben nga ata që gjuajnë me gurë, ata që duan të flasin tremben nga ata që nuk të flasin, e për shkak të një kohe që është kalimtare sigurisht, duartrokitjet janë më të mirëpritura se zakonisht.”
Lajmi është bërë publik nga Top Channel.

