Në Ditën Botërore të Fëmijëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bashkë me partnerë kombëtarë e ndërkombëtarë, lançoi Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2027–2030, një dokument strategjik për forcimin e sistemit të mbrojtjes dhe fuqizimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri. Ministrja Evis Sala theksoi nevojën për një qasje të re dhe gjithëpërfshirëse ndaj fëmijërisë, me fokus në sigurinë, mirëqenien dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, dhe u shpreh: “Asnjë fëmijë nuk duhet të rritet me frikë. Asnjë fëmijë nuk duhet të ndihet i përjashtuar. Dhe asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet pas…” Agjenda prezantohet si premtim për veprime në mbrojtjen e fëmijëve, shëndetin mendor, sigurinë online dhe mundësi për zhvillim.
Me sloganin “FËMIJË TË SIGURT, TË MBROJTUR, TË DËGJUAR”, dokumenti vendos në qendër nevojat, mirëqenien dhe pjesëmarrjen aktive të fëmijëve. Ai synon të forcojë edukimin socio-shëndetësor dhe promovimin e një jete të shëndetshme dhe të qëndrueshme. Agjenda thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit për krijimin e mjediseve të sigurta, mbrojtëse dhe gjithëpërfshirëse.
Strategjia thekson përgjegjësinë e përbashkët për të dëgjuar zërin e fëmijëve, për të garantuar ushqyerje të shëndetshme dhe zhvillim të plotë, si dhe për t’i mbrojtur ata nga çdo formë dhune, abuzimi, bullizmi, diskriminimi, shfrytëzimi dhe rreziqe të tjera, përfshirë ato në mjedisin digjital.
Politikat e përkujdesjes për fëmijët vijojnë përmes programeve kombëtare: për periudhën Janar–Mars 2026, 19,218 fëmijë përfituan nga programi i shikimit, 94,782 nga programi i kujdesit dentar, dhe 2,940 vajza e 1,343 djem morën vaksina HPV. Gjatë të njëjtës periudhe, 138 fëmijë morën këshillim dhe 20 raste u referuan nga Linja e Këshillimit ALO 116-111.
Në kuadër të deinstucionalizimit, numri i fëmijëve në institucione rezidenciale publike u ul nga 246 në vitin 2021 në 199 në fund të vitit 2025, një tregues i zgjerimit të shërbimeve alternative dhe përmirësimit të mekanizmave të parandalimit.

