Deputeti i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Artan Lulku, hedh poshtë aludimet se mund të votojë pro reformës territoriale dhe konfirmon për Top Channel se do të votojë kundër, duke iu bashkuar qëndrimit të opozitës. Në reagimin e tij, Lulku e përshkruan iniciativën si një “kapriço politike” dhe shprehet se ajo nuk ka asgjë të përbashkët me një reformë të vërtetë.
Ai kundërshton mënyrën e trajtimit të procesit, duke theksuar se vendimi është marrë pa konsultime me komunitetet dhe pa një vizion të qartë. Sipas tij, bëhet fjalë për një vendimmarrje të marrë në zyrat e politikës, e më pas e imponuar komuniteteve, dhe jo për një proces të hapur dhe të diskutuar që të merret si reformë reale. Në reagim Lulku saktëson: “Votoj kundër kësaj KAPRIÇOJE POLITIKE, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me një reformë të vërtetë. Kjo nuk është reformë. Është një vendim politik i pa konsultuar dhe pa vizion. Një vendim i marrë në zyrat e politikës dhe më pas t’u imponohet komuniteteve. Prandaj, si përfaqësues i qytetarëve në Kuvend dhe i Partisë Agrare Ambientaliste, VOTOJ KUNDËR. Kjo është vota ime dhe përgjegjësia ime politike.”
Me këtë qëndrim, Lulku përjashton çdo mundësi që ai të votojë në favor të reformës dhe konfirmon se do të jetë pjesë e votës opozitare kundër nismës. Reagimi i tij u bë publik në një komunikim me Top Channel, ku sqaroi se qëndrimi vjen si pasojë e mangësive që ai sheh në procesin dhe përmbajtjen e reformës.
Lulku thekson përgjegjësinë e tij politike si deputet dhe përfaqësues i PAA-së në Kuvend, duke e lidhur vendimin e votës me këtë përgjegjësi. Ai shprehet se qëndrimi i tij është i vendosur dhe kundërshton kategorikisht nismën, të cilën e konsideron si të marrë pa konsultime dhe pa një vizion që do ta bënte atë një reformë të vërtetë. Top Channel.

