Autoritetet ruse arrestuan një të mitur lidhur me një kërcënim të dyshuar terrorist ndaj kompleksit muzeor Tsaritsyno në Moskë. Sipas deklaratës së Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), i mituri kishte publikuar në TikTok fotografi ku shfaqej me veshje taktike, maskë për fytyrën, kapuç, syze dielli dhe kufje, si dhe me një objekt që ngjante me armë automatike. Në postime ishin edhe foto të realizuara në kompleksin muzeor, të shoqëruara me mbishkrimin: “Gjeta një vend”.
Ambasada amerikane lëshoi të shtunën një alarm, duke paralajmëruar për një “kërcënim të besueshëm për një ngjarje me viktima masive” në zonën e muzeut. Washingtoni bëri të ditur se po koordinonte reagimin me autoritetet ruse dhe u kërkoi qytetarëve të shmangnin zonën, të qëndronin vigjilentë dhe të mos frekuentonin vendet me grumbullime të mëdha njerëzish. Pas paralajmërimit, ambientet e muzeut dhe parkut Tsaritsyno u mbyllën të shtunën në mbrëmje për arsye teknike dhe vizitorët u evakuuan. Sipas mediave ruse, kompleksi u rihap normalisht më 1 nëntor. Edhe ambasada gjermane në Rusi raportohet se kishte lëshuar një paralajmërim për një kërcënim të mundshëm sigurie në këtë zonë.
Ngjarja riktheu vëmendjen te paralajmërimet e mëparshme të ambasadës amerikane për sulmin terrorist në sallën e koncerteve Crocus City Hall, pranë Moskës, në mars të vitit 2024. Sulmi i 22 marsit shkaktoi mbi 150 viktima dhe qindra të plagosur.

