Një 38-vjeçar me precedent të mëparshëm penal për krime kundër personit në Vlorë u arrestua pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri dhe granatë. Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Siguria 2”, të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Sipas policisë, në pranga ra shtetasi me inicialet E. H., 38 vjeç, banues në Vlorë. Ai u ndalua në flagrancë në zonën e quajtur “Kthesa e Pilurit”, Himarë, teksa lëvizte me automjet. Gjatë kontrollit të automjetit, në çantën e tij u gjet një armë zjarri pistoletë me krehër të mbushur me fishekë, si dhe një granatë.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e 38-vjeçarit në Vlorë, ku shërbimet e Policisë gjetën një tjetër pistoletë, krehra, municion luftarak, dy jelekë antiplumb dhe dy jelekë multifunksionalë. Të gjitha sendet e gjetura, përfshirë dy pistoletat, granatën, municionin, krehërat dhe jelekët, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Bashkë me këto u sekuestruan edhe automjeti dhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme. Veprat penale për të cilat po kryhen procedime janë “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Në përfundim, policia njofton se të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale po vijojnë në drejtim të dokumentimit të plotë të ngjarjes dhe përgatitjes së materialeve për dorëzim në organet e ndjekjes penale. Lajmi është shpërndarë nga Top Channel.

