Një 24-vjeçar, i identifikuar me inicialet M. Rr., u arrestua në flagrancë në Durrës, pasi dyshohet se përdorte kartëmonedha të falsifikuara për të kryer pagesa. Operacioni policor i koduar “Përdorimi” u finalizua pas një kallëzimi për një rast mashtrimi në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë, ku dyshohet se shtetasi M. Rr. furnizoi automjetin me karburant dhe pagoi me tri kartëmonedha 20-euroshe të dyshuara të falsifikuara.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin pas kallëzimit. Veprimet hetimore të shpejta sollën identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të 24-vjeçarit.
Gjatë kontrollit fizik, në portofolin e tij u gjetën dhe sekuestruan 10 kartëmonedha të tjera me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara. Në total u sekuestruan 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara, të cilat u morën si provë materiale.
Autoritetet njoftuan se vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

