Autoritetet gjermane arrestuan ish-kreun e Shërbimit Federal të Inteligjencës (BND), August Hanning, në kuadër të një hetimi për spiunazh, tradhti të lartë dhe rrjedhje të sekreteve shtetërore, njoftoi gazeta “Bild”. Hanning, i cili drejtoi BND-në nga 1998 deri në 2005, dyshohet se ka marrë informacione të klasifikuara nga një ish-zyrtar i lartë i BND-së kundrejt pagesës, me qëllim rishitjen e tyre gjatë veprimtarisë së tij si konsulent. Hetuesit e Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA) e arrestuan herët të martën në banesën e tij në Nordwalde, pranë Münsterit.
Në Bavari u arrestua gjithashtu një tjetër ish-zyrtar i lartë i BND-së, i identifikuar si Manfred D., i cili kishte drejtuar zyrën e Hanning dhe qëndroi në shërbim deri në pranverën e vitit 2026. Manfred D. pritet të paraqitet para Gjykatës Federale në Karlsruhe, ndërsa Hanning është planifikuar të dalë para gjyqtarit të mërkurën.
Sipas raportimeve, dy ish-zyrtarët u vunë në shënjestër gjatë hetimeve për rastin e biznesmenes Christina Block, e cila po gjykohet së bashku me të tjerë për rrëmbimin e dhunshëm të dy fëmijëve të saj. Gjatë hetimit u zbuluan prova që lidhen me rrjedhjen e informacioneve nga BND-ja, për informacione që ishin destinuar për një “informim zyrtar të inteligjencës” në Kancelarinë Gjermane. Autoritetet po hetojnë nëse Hanning ka përcjellë drejtpërdrejt këto të dhëna një fuqie të huaj.
Pas largimit nga shërbimi publik, Hanning punoi si konsulent për çështjet e sigurisë dhe biznesit ndërkombëtar. “Bild” raporton se ai mbajti kontakte me Rusinë dhe Kinën, përfshirë agjenci shtetërore, dhe dyshohet se kishte kanale komunikimi pranë Kremlinit. Gazeta gjithashtu shkruan se Hanning përballet prej vitesh me probleme financiare, pasi një pjesë e pensionit të tij ishte konfiskuar, dhe se kjo lidhej me përfshirjen e tij në bordin mbikqyrës të një banke në vendet baltike që më pas falimentoi. Nuk dihet nëse vështirësitë financiare lidhen me marrëveshjet e dyshuara për shitjen e sekreteve shtetërore.
Në shtator 2025 Gjykata e Hamburgut kreu kontrolle në pronën e Hanning në Westerwald dhe në zyrat e tij; atëherë hetimi lidhej zyrtarisht vetëm me çështjen e Christina Block, megjithëse vendosja e një hetuesi të fshehtë në një kompani të lidhur me Hanning kishte ngritur dyshime mbi një hetim më të gjerë. Hanning ka shërbyer më parë në Përfaqësinë e Përhershme të Gjermanisë Perëndimore në Berlinin Lindor dhe më vonë në Ministrinë e Brendshme, ku mbikqyri shërbimet e sigurisë gjatë kohës së ministrit Wolfgang Schäuble.

