Një shtetase gjermane është viktimë e një vjedhjeje me dhunë dhe kërcënimi me thikë te Liqeni Artificial në Tiranë. Sipas njoftimit të Policisë, autorë i ngjarjes dyshohet të jetë një 41-vjeçar, i cili është identifikuar dhe arrestuar në kohë rekord nga efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 1. Viktima, e identifikuar me inicialet T.K., 50 vjeçe, iu vodh me dhunë çanta me sende personale ndërsa ishte te Liqeni Artificial, dhe u kanos me thikë gjatë grabitjes.
Pas njoftimit për vjedhjen me dhunë, shërbimet e Komisariatit Nr. 1 organizuan operacionin policor të koduar “Reaction”, ndërmarrë menjëherë për zbardhjen e rastit. Si rezultat i veprimeve hetimore dhe atyre operacionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit J.S., 41 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar si autori i grabitjes. Materialet procedurale lidhur me ngjarjen iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Sendet personale të grabitura i janë sekuestruar autorit gjatë veprimeve të policisë dhe më pas iu janë kthyer 50-vjeçares. Një ditë pas ngjarjes, shtetasja gjermane T.K. u paraqit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 për të falënderuar efektivët për angazhimin në zbardhjen e rastit. Ajo vlerësoi reagimin e shpejtë të policisë, identifikimin dhe arrestimin në kohë rekord të autorit të dyshuar, si dhe kthimin e sendeve të saj personale, duke shprehur mirënjohjen për punën dhe profesionalizmin e efektivëve.
Policia konfirmon se hetimet dhe veprimet operative u kryen me qëllim kapjen dhe ndalimin e autorit dhe rikthimin e sendeve të grabitura te pronarja. Në njoftimin zyrtar theksohet se procedurat ligjore vijojnë pranë Prokurorisë për veprime të mëtejshme lidhur me vepërpenale të konstatuar në lidhje me rastin.

