Policia Kufitare e Tiranës arrestoi në flagrancë një 66-vjeçar, pronar hoteli në Vaqarr, nën dyshimin se kishte strehuar dhe ndihmuar për kalim të paligjshëm të kufirit shtetas të huaj. Operacioni, i koduar “Stafeta” dhe finalizuar nga Seksioni i Hetimit i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, çoi në ndalimin e shtetasit P. S., banues në Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.
Hetimet dyshojnë se në hotelin në pronësi të tij ishin strehuar shtetas të huaj nga Sudani, të cilëve i kishte siguruar mjete transporti dhe i kishte dërguar drejt Koplikut, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit drejt vendeve të Bashkimit Europian. Gjatë ndjekjes u vëzhguan dhe ndaluan dy automjete taksi në të cilat udhëtonin shtatë shtetas nga Sudani; këta persona u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Në operacion u sekuestruan si prova materiale dy armë gjahu, nga të cilat njëra dyshohet të mbahej pa leje, fishekë për armën e gjahut, shtatë telefona celularë, dy automjete (taksi) dhe libri i regjistrimit të klientëve të hotelit. Për taksistin, shtetasin P. Gj., është nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Shërbimet e Policisë Kufitare Tiranë kanë koordinuar punën dhe bashkëpunuar me Policinë Kufitare Shkodër gjatë ndjekjes dhe ndalimit të automjeteve. Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.

