Një 47-vjeçar u arrestua në flagrancë në Sarandë, pasi dyshohet se po kryente punime për ndërtimin e paligjshëm të një objekti në zonën e plazhit “Shqiponja”, në lagjen nr. 4. Gjatë kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren, shërbimet e Policisë konstatuan një sipërfaqe toke të sheshuar dhe të mbuluar me materiale ndërtimore pranë plazhit.
Hetimet paraprake tregojnë se toka po përgatitej për ndërtimin e një objekti me qëllim përfitimi. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. R., 47 vjeç, banues në Tiranë. Në kuadër të ndërhyrjes, Policia hoqi dhe sekuestroi 48 shezlongë dhe çadra të vendosura në hapësirën e plazhit, të cilat dyshohet se administroheshin nga i arrestuari pa lejen përkatëse.
Për rastin pati pasoja edhe brenda strukturave policore: Specialisti i Policimit në Zonë (SPZ), A. N., është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur procedimi disiplinor për shkelje të rëndë. Sipas Policisë, pezullimi u bë pasi ky specialist dyshohet se nuk kishte konstatuar paligjshmërinë në territorin që mbulonte.
Policia njofton se kontrollet dhe verifikimet në territor do të vijojnë me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë, veçanërisht të veprave që cenojnë mjedisin dhe hapësirat publike. Materialet procedurale për këtë ngjarje janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

