Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të furnizimit dhe shpërndarjes së drogës. Finalizohet operacioni policor i koduar “Bulevardi”, në kuadër të të cilit arrestohet në flagrancë S. K., 44 vjeç, banues në Vorë. Gjatë kontrollit të kryer në rrugën “Riglata”, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan dy paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë të përgjithshme rreth 1 kg e 680 gramë.
Operacioni u organizua pas sigurimit të informacioneve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, të bazuara në inteligjencë policore, sipas të cilave një shtetas do të transportonte dhe shpërndante sasi të konsiderueshme kokainë në zonën e Bulevardit të Ri dhe në segmentet rrugore që lidhin kryeqytetin me zonën e Urës së Paskuqanit. Nga veprimet hetimore dyshohet se i arrestuari furnizonte persona të tjerë me kokainë për shitje në doza, ndërsa një pjesë të sasisë e shpërndante vetë.
Operacioni “Bulevardi” vjen pas fazave të mëparshme të operacionit të koduar “Zonat”, të zhvilluara gjatë muajve maj dhe qershor, ku janë sekuestruar rreth 1.5 kilogramë kokainë dhe 1.1 kilogramë heroinë. Në vijim të kontrolleve intensive dhe bashkëpunimit me Prokurorinë, po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale të lidhura me arrestimin dhe sekuestrimin i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

