Policia e Himarës arrestoi një 39-vjeçar, L. B., banues në Tiranë, pasi dyshohet se po ndërtonte pa leje një objekt pesëkatësh, një prej kateve të të cilit është nën tokë. Ndërtimi, në proces në momentin e konstaktimit, ndodhet në vendin e quajtur “Sugë”.
Evidentimi i ndërtimeve pa leje u bë gjatë kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren nga Komisariati i Policisë Himarë, si pjesë e masave për parandalimin e ndërtimeve të paligjshme gjatë sezonit turistik dhe për goditjen e krimeve kundër mjedisit. Sipas njoftimit, objekti ishte aktualisht në proces ndërtimi kur u konstatuan mangësitë ligjore.
Për ngjarjen janë shpallur në kërkim tre punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Himarë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Të kërkuarit janë kryeinspektori D. H., 46 vjeç, banues në Tiranë, dhe inspektorët M. K., 31 vjeç, banues në Gjirokastër, dhe A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë. Policia njofton se po punohet për kapjen e tyre dhe për individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësive penale.
Materialet procedurale lidhur me rastin janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Kontrollet dhe verifikimet në terren vijojnë sipas njoftimit të policisë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e ndërtimeve të paligjshme dhe të krimeve kundër mjedisit krahas garantimit të rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik.

