Strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, së bashku me Seksionin e Mbështetjes Operacionale Hetimore të DVP Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, realizuan operacionin e koduar “Gaminator” për të luftuar veprimtaritë e paligjshme në fushën e lojërave të fatit. Ky aksion u mbështet nga informacione operative dhe u krye në qytetin e Fushë Arrëzit.
Gjatë operacionit, u zbulua se një lokal po organizonte lojëra fatit në mënyrë të paligjshme. Si rezultat, u arrestua në flagrancë P. P., 30 vjeç, punonjës i lokalit, ndërsa u shpallën në kërkim dy shtetas, I. T., 30 vjeç dhe G. P., 39 vjeç, të cilët dyshohet se ishin organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, autoritetet sekuestruan prova materiale që përfshinin dy makineta, një pajisje kompjuterike, një celular dhe 140,000 lekë, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktivitete të paligjshme.
Për momentin, policia po punon për kapjen e dy personave në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie. Materialet procedurale u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.















